Debati universitar për integrimin: Trajnim i studentëve në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
Projekti 'Laboratori i debatit mbi Integrimin Europian në Auditoret Universitare', zhvilloi ditën e enjte, 12 dhjetor 2019 trajnimin e studentëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë për formatin dhe tematikën e debatit. Prof.Asoc.Dr. Nevila Xhindi mundësoi trajnimin e studentëve lidhur me formatin e debatit dhe u ndal në temën që do të debatohet në debatin universitar në UMSH: migrimi dhe integrimi europian. U prezantua formati i debatit si një ndërthurje midis Cross-Examination and Karl Popper duke i ofruar studentëve mundësinë të përdorin analizë kritike dhe logjikë të fortë pro dhe kundra për tematika me rëndësi. Studentët pjesëmarrës studiojnë në programin Bachelor dhe Master të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe shfaqëin interes dhe motivim për tu angazhuar me debatin universitar për integrimin.
Ndërkohë, Anisa Curraj shpjegoi se qëllimi i projektit është të përforcojë njohuritë dhe të zhvillojë analizën kritike të komunitetit të studentëve e kërkuesve të rinj lidhur me Integrimin Europian dhe ndikimin shumëdimensional të tij në Shqipëri. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri (OSFA) dhe zbatohet nga Qedra për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion (SCiDEV). SCiDEV do të organizojë trajnimin për studentët edhe në universitetet e tjera në Tiranë dhe Durrës në bashkëpunim me pedagogët koordinues pjesë të projektit si edhe trajnerët e projektit. Më tej do të realizohen 13 debate në nivel universiteti apo fakulteti dhe në pranverën e 2020 do të realizohet debati final.